
Presidente
Prof. Asoc. Dr. Agreta Gecaj-Gashi FESAIC
Prof. Ass. Dr. Agreta Gecaj-Gashi ka lindur më 8 shkurt 1973, në Pejë. Shkollimin fillor dhe të mesëm e ka përfunduar në Gjakovë. Në vitin 1997 ka diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë.
Nga viti 1999 deri më 2004 ka ndjekur specializimin në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në Klinikën e Anesteziologjisë me Kujdes Intensiv, ndërsa një pjesë të trajnimit e ka kryer edhe në Qendrën Klinike Universitare të Zagrebit. Në vitin 2004, pas përfundimit të provimit specialistik, fitoi titullin Specialiste e Anesteziologjisë dhe Kujdesit Intensiv.
Në vitin 2007 përfundoi studimet e Magjistraturës në Fakultetin e Mjekësisë, Universiteti i Prishtinës, me temën: “Efektet e adjuvantëve të kombinuar me bupivakainën në anestezinë spinale dhe analgjezinë e balancuar”, duke marrë titullin Magjistre e Shkencave Mjekësore.
Në vitin 2015 mbrojti disertacionin e doktoraturës në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, me temën: “Anestezia me fluks të ulët dhe minimal: ndikimi në funksionin respirator, hepatik dhe renal, vetëdijen dhe agjitacionin gjatë zgjimit”, duke fituar titullin Doktore e Shkencave Mjekësore.
Nga viti 2010 deri në vitin 2018 ka ushtruar detyrën e Asistentes në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, në lëndën Anesteziologji me Reanimacion. Që nga viti 2017 është ligjëruese në Kolegjin AAB, ku në vitin 2020 u emërua Profesoreshë Asistente.
Nga viti 2020 deri më 2023 ka qenë anëtare dhe kryetare e Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), ndërsa në vitet 2022–2023 ka qenë anëtare e Bordit Udhëheqës të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Në vitin 2024 u zgjodh Kryetare e Shoqatës së Anesteziologëve dhe Intensivistëve të Kosovës.
Prof. Ass. Dr. Gecaj-Gashi ka qenë anëtare e Këshillit të ESAIC (Shoqata Evropiane e Anesteziologjisë dhe Kujdesit Intensiv) nga viti 2014 deri më 2020. Që nga viti 2020 është anëtare e NASC (Komiteti i Shoqatave Kombëtare të Anesteziologëve) brenda ESAIC. Që nga viti 2023 shërben si Drejtoreshë e CEEA (Komiteti Evropian për Edukim në Anesteziologji) për qendrën e Kosovës.
Në qershor të vitit 2025 iu nda diploma FESAIC (Fellow of European Anaesthesiology and Intensive Care) nga Shoqata Evropiane e Anesteziologjisë dhe Kujdesit Intensiv.
Aktualisht, ushtron veprimtarinë e saj profesionale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në Klinikën e Anesteziologjisë dhe Kujdesit Intensiv. Paralelisht, vazhdon aktivitetin akademik e edukativ në Kolegjin AAB, në departamentet e Stomatologjisë dhe të Infermierisë, si Profesoreshë Asistente.
Është autore dhe bashkautore e një numri të madh publikimesh në revista prestigjioze shkencore, me rreth 3,000 citime dhe një H-indeks prej 20 në Google Scholar. Ka qenë ligjëruese mysafire në shumë konferenca dhe kongrese kombëtare e ndërkombëtare, si dhe ka shërbyer si Koordinatore Kombëtare në pesë projekte shkencore ndërkombëtare.
Është autore e monografisë: “Aplikimi i adjuvantëve në anestezinë spinale”, si dhe bashkautore e kapitujve në dy libra: “Mjekësia Emergjente” dhe “Kirurgjia për infermierët”.






